Aparatet e lëvizshme dhe Ortodoncia parandaluese.
Vizita e parë ortodontike sipas rekomandimeve të Shoqatës Amerikane të Ortodontëve, duhet të bëhet rreth moshës 5-6 vjeç, me nisjen e ndërrimit të dhëmbëve të qumështit. Është e rëndësishme në ortodonci diagnostikimi i hershëm i problematikave në daljen e dhëmbëve të përhershëm dhe rritjes së nofullave. Jo doemosdoshmërisht do të nisë trajtimi ortodontik, por në momentin e vizitës do të jetë mjeku ortodont që do tju shpjegojë kohën ideale të trajtimit të problemeve ortodontike, dhe mënyrën e zgjidhjes.
Në shumë raste, trajtimi i hershëm ortodontik nëpërmjet aparateve të lëvizshme, parandalon formimin apo përkeqësimin e problematikave të ndryshme të nofullave apo dhëmbëve. Trajtimet parandaluese rekomandohen për zgjidhjen e problematikave si kafshimi i kryqëzuar, kafshimet e thella, dhe grumbullimet e rënda, ngushtimet e rrugëve të frymëmarrjes, si dhe mbi apo nën zhvillimet e nofullave të cilat ndikojnë në profilin dhe kafshimin e pacientit.
Aparate të lëvizshme funksionale, si Frankel, Twin block, aparate të tjera të lëvizshme si pllaka me vidë, do te shpjegohen dhe prezantohen nga mjeku, në rastet e nevojshme.
Këshilla jonë është prezantimi i fëmijës me dentistin në moshë të vogël. Programi i ndjekjes së fëmijëve në klinikën tonë, do të monitorojë rritjen dhe zhvillimin e dhëmbëve, nëpërmjet konsultave falas çdo 1 vit. Në këtë mënyrë fëmijët ambientohen dhe mësojnë mënyrat e duhura për pastrimin dhe mbajtjen e një buzëqeshje të shëndetshme, gjatë gjithë jetës.